Cikli menstrual
Vezëzat e një gruaje ruhen në vezore. Çdo muaj, një vezëz e pjekur del nga njëra prej vezoreve. Ky quhet ovulacion.
Gypi i Falopit e transporton vezëzën në mitër. Mitra e gruas përgatitet për shtatzëninë: në mitër membrana mukoze rritet për të marrë një vezëz të fekonduar. Membrana shërben si fole për vezëzën (implantimi).
Nëse vezëza nuk është fekonduar, gruaja nuk është shtatzënë. Membrana mukoze dhe gjaku dalin nga mitra. Ato dalin nga trupi nëpërmjet vaginës. Ky quhet një cikël menstrual.
Cikli menstrual zgjat nga 3 deri në 7 ditë. Kohëzgjatja është e ndryshme në çdo grua.
Në fillim të ciklit menstrual, membrana mukoze fillon të rritet përsëri dhe fillon një cikël i ri.
Një grua mund të përdorë tamponë ose peceta sanitare për të thithur gjakun nga cikli i saj menstrual. Ajo mund ta mbledhë gjakun edhe me një kupë menstruale.
Cikli i parë menstrual
Një grua bëhet pjellore gjatë pubertetit, në përgjithësi nga mosha 11 deri në 15 vjeç. Nga ai moment ajo mund të bëjë fëmijë. Një vajzë është pjellore që nga ovulacioni i saj i parë dhe prandaj mund të mbetet shtatzënë para ciklit të saj të parë menstrual. Nëse vezëza nuk është fekonduar, ajo ka menstruacione për herë të parë. Edhe kur bën seks për herë të parë, ajo mund të mbetet shtatzënë.
Menopauza: fundi i cikleve menstruale
Një gruaje i ndalojnë ciklet menstruale midis moshës 45 dhe 55 vjeç. Mosha e saktë është e ndryshme për çdo grua. Kjo quhet menopauzë. Gruaja nuk mund të mbetet më shtatzënë pas kësaj.
Në fillim të menopauzës, ciklet menstruale janë të çrregullta. Pas njëfarë kohe ato ndalojnë krejtësisht. Menopauza mund të zgjasë nga disa muaj në disa vjet.
Menopauza ndryshon prodhimin e hormoneve femërore. Disa gra mund të kenë shqetësime. Për shembull: afshe të nxehta, lëkundje të humorit, pagjumësi, humbje të përqendrimit, dhimbje koke dhe lodhje.
Kontracepsioni
Disa metoda të kontracepsionit parandalojnë rritjen e membranës mukoze në mitër ose pengojnë pjekjen (ovulacionin) e një vezëze. Në atë rast, gruaja nuk ka gjakrrjedhje ose ka vetëm pak.
Marrëdhënia seksuale
Disa gra duan të kryejnë marrëdhënie seksuale gjatë ciklit të tyre menstrual, disa të tjera jo. Një grua mund të kryejë marrëdhënie seksuale gjatë ciklit të saj menstrual nëse ajo dëshiron. Kjo gjë nuk do të shkaktojë probleme me higjienën.
Një grua mund të mbetet shtatzënë gjatë ciklit të saj menstrual nëse është në ditët pjellore të saj dhe ka kryer seks pa mbrojtje. Nëse nuk keni dëshirë për të bërë fëmijë për momentin, përdorni kontracepsion.