Prezervativi femëror
Prezervativi femëror është një metodë kontracepsioni.
Ai është një xhep gome. Xhepi ka një unazë elastike në të dy anët: një unazë të hollë të jashtme dhe një unazë të trashë të brendshme. Ai kap spermën kur një burrë ejakulon.
Si të vendosni një prezervativ femëror
Vendosni një prezervativ femëror para penetrimit. Bëjeni në mënyrën e mëposhtme:
- Kontrolloni që data e skadimit nuk ka kaluar ende. Përdorni vetëm prezervativë me etiketën e cilësisë CE në paketim.
- Vendosni një lubrifikues nga brenda dhe jashtë prezervativit.
- Shtypni unazën e brendshme.
- Vendosni prezervativin lart brenda vaginës.
- Vendosni 1 gisht brenda prezervativit dhe shtyni unazën lart sa më shumë të jetë e mundur. Kujdes që prezervativi të mos lëvizë dhe që penisi të jetë gjithmonë brenda prezervativit gjatë penetrimit.
- Unaza e jashtme e mban në vend prezervativin kur kryeni marrëdhënie seksuale. Ajo qëndron jashtë trupit dhe mbulon zonën përreth vaginës.
- Pas seksit, merrni unazën e jashtme dhe përdridheni pak atë, ndërsa ju tërhiqni jashtë prezervativin. Bëni kujdes që sperma të mos hyjë në vaginë.
- Hidheni prezervativin e përdorur në një kosh plehrash.
Përdoreni prezervativin vetëm një herë.
Është më pak e sigurt kur nuk përdoret siç duhet
Kur një prezervativ femëror përdoret siç duhet, ai është një metodë kontracepsioni shumë e sigurt. Por, shpesh prezervativi femëror nuk përdoret në mënyrën e shpjeguar më sipër. Në këtë rast, prezervativi është më pak i sigurt. Rreth 21 në 100 gra ngelin shtatzëna kur përdorin prezervativin femëror për 1 vit gjatë marrëdhënies seksuale.
Mbrojtja nga HIV dhe IST-të
Prezervativi femëror gjithashtu mbron nga HIV dhe zvogëlon rrezikun e infeksionit me një IST.
Prezervativi femëror dhe prezervativi për burra janë mënyrat e vetme të kontracepsionit që mund t'ju mbrojnë nga ato.
Blerja e një prezervativi femëror
Mund të blini një prezervativ femëror vetëm në farmaci ose në internet. Nuk keni nevojë për një recetë nga një mjek.
Një prezervativ femëror kushton rreth € 2.
Disa fonde të sigurimeve shëndetësore ripaguajnë një pjesë të shpenzimeve për kontracepsionin. Pyesni fondin tuaj të sigurimeve shëndetësore për këtë.